MINISTRIA PËR KOMUNITETE DHE KTHIM DHE AMBASADA E MBRETËRISË SË BASHKUAR NËNSHKRUAJNË MEMORANDUMIN E MIRËKUPTIMIT PËR BASHKËFINANCIM TË PROJEKTIT :
KTHIMI I QËNDRUESHËM DHE RE-INTEGRIMI I KOMUNITETIT SERBË NË PRIZREN
Sot në ambientet e Rezidencës së Ambasadës Britanike, Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Ambasada Britanike, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkë-financim të projektit : Kthimi i qëndrueshëm dhe re-integrimi i komunitetit serbë në Prizren
Të pranishëm në këtë ceremoni përveç ministrit për Komunitete dhe Kthim, z.Sasha Rashiq, ishin edhe ministri për Evropë në Mbretërinë e Bashkuar, David Lidington, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z.Andy Sparks, kryetari i Bashkisë së Prizrenit, z.Ramadan Muja si dhe Shefi i UNHCR-it, Herman Stuurwold.
Në emër të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Memorandumin e Mirëkuptimit e nënshkruajtën lartmadhëria e tij, z. Andy Sparks, dhe në emër të MKK-së, ministri Sasha Rashiq.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim janë dakorduar të bashkë-financojnë dhe bashkëpunojnë për përkrahjen e kthimit urban të familjeve serbe në qytetin e Prizrenit. Ambasada Britanike do të kontribuojë me 354,ooo euro dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim me 166,000 euro.
Projekti do të realizohet në zonën e cila gjendet afër kishës serbe të rinovuar kohe më parë në qendër të qytetit dhe parasheh kthimin e disa familjeve në këtë lagje, por gjithashtu edhe në pjesët tjera të qytetit, në pronat e tyre të uzurpuara ilegalisht ose në ato prona që janë pjesërisht të dëmtuara.
Një komponent e rëndësishme shtesë e këtij projekti janë angazhimet dhe përgatitjet për rindërtimin dhe kthimin e trashëgimisë kulturore tek Nënkalaja në qendër të qytetit, i cili planifikon kthimin e më shumë familjeve në qendrën historike të Prizrenit dhe kombinon kthimin me rindërtimin e një trashëgimie kulturore.
Përveç rindërtimit të shtëpive, me qëllim të re-integrimit dhe kthimit të qëndrueshëm, komuniteti do të jetë i përkrahur edhe me ndihma të tjera siç janë pakot me ushqim, mobiliet dhe grantet për krijimin e të ardhurave.
Me këtë rast ministri Rashiq tha se ndihet shumë i nderuar që ministri Lidington, në vizitën e tij ka prioritet këtë ngjarje. Kjo tregon për mbështetjen e madhe të Qeverisë Britanike për qytetarët e Kosovës.
Procesi i kthimit është përmirësuar dhe ka zhvillime pozitive në punën tonë, por ende shumë duhet bërë për të mbështetur të gjitha familjet e zhvendosura të cilat qe 11 vite jetojnë në kushte të vështira.
Çdo kush ka të drejtë të kthehet në shtëpinë e tij, dhe ne të gjithë duhet të jemi këtu për të mbështetur të gjitha ato familje të cilat duan të kthehen tha ai. Një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës është ndërtimi i një shoqërie shumë-etnike dhe demokratike.
Implementimi i projekteve si ky me siguri do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi. Sigurisht që zbatimi i këtij projekti nuk ishte i mundur pa përkrahjen e madhe të Qeverisë Britanike, të cilën e falënderoi me këtë rast.
David Lidington, ministër për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar, në fjalën e tij tha se gjer më tani, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka kontribuar me mbi dy milion funta për programin e Qeverisë së Kosovës. Përveç kësaj ajo ka investuar edhe 1.5 milion funta për Agjencinë Kosovare të Pronës, dhe përmes ambasadorit i cili është edhe kryesues i Bordit është lobuar edhe tek donatorët e tjerë për të mbështetur këtë agjension.
Ai ishte mjaftë i kënaqur se kthimi mbetet prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe se Kosova po ndërtohet në bazë të planit të Ahtisarit si shtet multietnik.
Lajmet
